Në vitin 1988, pikërisht në datën e sotme 22 shtator, në Francë, u shënua për herë të parë ‘Dita Pa Makina’ dhe brenda katër viteve u shndërrua në të gjithë botën ‘Ditë Botërore të Lëvizjes pa Makina’.
Edhe në vendin tonë kjo ditë po shënohet nga komuniteti ‘Marakli t’Biciklave’, të cilët do të organizojnë disa aktivitete, e për të kuptuar se për çfarë aktivitete është fjala, Radio KFOR-i bisedoi me kryetarin e Grupit ‘Marakli t’Biciklave’, z. Berat Rakovica: “Aktivitetet me biçikleta do të nisin sot nga ora 10:30, nga Pallati i Rinisë në Prishtinë, për të vazhduar në orën 14:00 në parkun e Tokbashqes, ndërsa në orën 15:00 do të jetë eventi kryesor në sheshin e Prishtinës, ku do të shpërndahen fletushka të cilat do të ndihmojnë të gjithë fillestarët e biçikletave, posaçërisht fëmijët. Në orën 18:30, në Kinema do të shfaqet një dokumentar për vetëdijesimin e fillestarëve të përdorimit të biçikletave dhe në orën 20:30 do të jetë aktiviteti “Ta ndriçojmë Prishtinën”.”
‘Dita Botërore pa Makina’, ka për synim sensibilizimin e njerëzve që të paktën për një ditë të vitit të i largohen makinave të tyre, të cilat lirojnë lëndë të dëmshme për organizmin tonë.