Tashmë fëmijët kanë përfunduar procesin mësimor dhe duke qenë në stinën e verës, prindërit duhet t’i aktivizojnë të vegjlit e tyre në sa më shumë aktivitete të ndryshme fizike, në mënyrë që të shmangin të qëndruarit pasiv, duke përdorur pajisjet teknologjike. Radio KFOR-i, gjithnjë bazuar në këshillat e psikologëve dhe sociologëve, ju ofron disa ide argëtuese për fëmijët tuaj gjatë pushimeve të verës.
Për të ju shmangur temperaturave të larta, ju rekomandojmë shëtitje me biçikleta në mbrëmje. Një xhiro me biçikletë gjatë mbrëmjeve me fëmijën tuaj, ju ofron argëtim familjar por ju ndihmon edhe për të mbajtur aktivitetin fizik të fëmijës suaj nën kontroll dhe sa më larg vapës.
Preferohet edhe pikniku në park, për ti kaluar pasditet e stinës së verës. Përgatisni disa ushqime të shijshme dhe të shëndetshme, merrni letra, kapela dhe krem dielli dhe mos harroni edhe kremin kundër mushkonjave. Parqet jo vetëm që do ta lejojnë fëmijën tuaj të vrapojë e të luajë lirshëm, por gjithashtu do të ju japin edhe juve momente relaksuese. Merrni një libër për të lexuar, ndërsa fëmijët luajnë. Bëni not. Notimi është një aktivitet i mirë për pasditet e verës, i argëton fëmijët dhe i mban ata aktiv e të shëndetshëm. Përfshihuni në lojën e fëmijëve, ngase në këtë mënyrë, si ju ashtu edhe fëmija juaj, do të bëni stërvitjet e nevojshme dhe do të argëtoheni e relaksoheni së bashku.