Ashtu sikurse në vitet e shkuara edhe vera e vitit 2021, pritet të jetë e ‘ngarkuar’ në trafikun rrugor dhe pritet fluks i madh në pikat kufitare. Këtë e dëshmojnë edhe statistikat e hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare, ku vetëm në javën e parë të muajit korrik, kemi pasur qindra e mijëra persona që kanë kaluar nëpër pikat kufitare.
Për të kuptuar më shumë rreth fluksit të kalimtarëve në pikat kufitare, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me Zëdhënësin e Policisë së Kosovës, z. Baki Kelani: “Referuar sezonit veror, ne si Polici e Kosovës, e dimë që kemi numër të madh të bashkatdhetarëve që vijnë në Kosovë për pushime, e bazuar në këtë Policia e Kosovës ndërmerr masa me kohë, me planifikimet e saja në pikat e ndryshme kufitare, duke përfshirë edhe prezencën policore në vendkalimet kufitare dhe njëkohësisht shtimin e prezencës policore në rajone të ndryshme, në zonat e qyteteve ku kemi frekuentim më të madh të qytetarëve. Në pikat kufitare bëjmë shtim të personelit, kryesisht në ato pika të cilat janë më të frekuentuara, e që zakonisht pikat kufitare më të frekuentuara janë vendkalimet kufitare me Shqipërinë dhe pikë kalimi në Merdare. Nëse e i referohemi statistikave të hyrje-daljeve me Shqipërinë në fillim të korrikut, në hyrje janë evidentuar 99.351 persona, përderisa në dalje janë evidentuar 108.922 persona. Këtu vërehet që ka fluks të madh në pikat kufitare në këtë sezon, njëkohësisht numër të shtuar kemi edhe në pikë kalimet kufitare me Serbinë, kryesisht në pikë kalimet Merdare dhe Dheu i Bardhë.”
Ndërkohë, Z. Kelani tha se Policia e Kosovës veç pikave kufitare, do të jetë vazhdimisht në terren edhe me fushata të shumta këtë verë dhe shtoi: “Përgjatë sezonit veror Policia e Kosovës ka ndërmarr një sërë fushatash. Aktualisht bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, është lansuar një fushatë e cila ju uron mirëseardhje bashkatdhetarëve në Kosovë dhe njëkohësisht për t’u dhënë disa këshilla sa i përket trafikut rrugor, si për shpejtësinë, përdorimin e telefonit, rripin e sigurisë etj., e që janë në interes të sigurisë në trafik.”
Të gjithë ju që jeni pjesëmarrës në trafik edhe Radio KFOR-i apelon për kujdes të shtuar, respektim të rregullave të trafikut, pasi vetëm kështu ne kujdesemi për jetën tonë dhe të tjerëve në trafik.