Muzika është gjuha universale, e cila bashkon të gjithë njerëzit, pa dallim gjinie, etnie apo race dhe i bën ata të ndihen më të lumtur dhe më të socializuar me të tjerët. Pikërisht përmes krijimit të përbashkët të muzikës në Shkollën ‘Mitrovica Rock School’, të rinj të komuniteteve të ndryshme kanë arritur që të krijojnë lidhje të forta mes vete.
Kjo shkollë, në kuadër të projektit ‘Music Connects’, do të sjell këtë të shtunë, më 19 dhjetor, premierë dokumentarin ‘Music Connects: The Real School of Rock’, i cili do të transmetohet online, duke filluar nga ora 20:30. Radio KFOR-i ka kontaktuar Drejtoreshën e Operacioneve në ‘Mitrovica Rock School’, Miliza Kosova, e cila ka treguar se çka do të përmbajë dokumentari në fjalë: “Dokumentari është një tregim i të rinjve nga rajoni, të cilët duke e shfrytëzuar fuqinë e muzikës rock i krijojnë ura lidhëse ndarjes etnike. Është tregim lidhur me procesin që kanë kaluar studentët në krijimin e muzikës origjinale me ndihmën e mentorëve të tyre dhe sesi ndikoi tek ata krijimi dhe prezantimi i muzikës që ata krijuan. ‘Music Connects’ është projekt i ‘Musicians Without Borders’ (Holandë), në bashkëpunim me ‘Fontys Rock Academy’ (Holandë), ‘Music School Enterprise’ (Shkup) dhe ‘Roma Rock School’ (Shkup). Ky projekt është i mbështetur nga ‘Creative Twinning’, program i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës.”
Znj, Miliza Kosova, gjithashtu tregoi se pavarësisht vështirësive të pandemisë, gjatë vitit 2020, ‘Mitrovica Rock School’, kishte 94 studentë nga veriu dhe jugu i Mitrovicës, të cilët morën pjesë në 1.500 aktiviteteve, si orë mësimore online dhe në shkollë, ushtrime të bendeve muzikore etnikisht të përziera, punëtori dhe incizime në studio: “Përmes punës sonë 11 vjeçare, ne kemi parë se si njerëzit krijojnë lidhje të forta dhe marrëdhënie përmes krijimit të tyre të përbashkët të muzikës, pavarësisht nga gjithçka tjetër. Më së miri mund ta shihni në këtë dokumentar që po përpiqet të transferojë energjinë e vërtetë të njerëzve me prejardhje të ndryshme etnike që punojnë së bashku në situata të ndryshme, me rezultatet reale dhe problemet reale.”
Kjo premierë është falas dhe të gjithë ata që janë të interesuar mund të regjistrohen për të marrë biletat në vegzën: https://www.eventbrite.nl/e/music-connects-the-real-school-of-rock-online-premiere-tickets131049347125