KFOR-i po vazhdon me përkrahjen e qytetarëve në Kosovë edhe në kohë pandemie. Falë donacionit të CIMIC-ut (Bashkëpunimi Ushtarak Civil i KFOR-it) , Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Kuvendi i Verrave të Llukës” Llukë e Epërme, komuna e Deçanit, të enjten (17 dhjetor), u bënë me një laborator të informatikës si dhe me disa lodra didaktike, të cilat do të ndihmojnë zhvillimin e mësimit më cilësor.
Lideri i Ekipit të KFOR-it në kuadër të LMT-së K14, Togeri Paciolla Anthony, me këtë rast për Radio KFOR-in tha: “Sot ne do të pasurojmë një klasë informatike me 20 laptopë si dhe disa lodra për fëmijë parashkollorë dhe një aparat për plastifikimin e dokumenteve. Ne jemi duke e realizuar këtë donacion për të mirën e fëmijëve, të cilët janë e ardhmja e Kosovës dhe natyrisht përmes këtij donacioni, nxënësit do të kenë kushte më të mira për të mësuar.”
Jashtëzakonisht mirënjohës për ndihmën e KFOR-it ishte edhe drejtoresha e shkollës, Besarta Tahiri- Ukaj, e cila u shpreh: “Ne kemi bërë një kërkesë për një klasë të informatikës e cila na ka munguar shumë deri më tani si dhe për një klasë për parashkollorët. Dua t’i falënderoj përfaqësuesit e KFOR-it për sigurimin e këtij donacioni, i cili është shumë i nevojshëm për ne edhe nxënësit.”
Falënderues dhe entuziastë për këtë donacion ishin edhe nxënësit e shkollës, të cilët thanë: “Jam Valjeta Muçaj, jam në klasën e gjashtë. Jam shumë e lumtur sepse përmes këtyre laptopëve do të mësojmë gjëra të reja, prandaj dua ta falënderoj KFOR-in shumë.”
Të njëjtin mendim e kishte edhe nxënësi tjetër, Ideal Sutaj: “Jam shumë i lumtur sepse në këto kushte të pandemisë do të kemi kushte më të mira për të përcjellë mësimin dhe për të mësuar gjëra interesante.”
Përmes projekteve dhe donacioneve të ndryshme të realizuara për të gjitha komunitetet, KFOR-i po e dëshmon përkushtimin në sigurimin e një të ardhme më të sigurt dhe më të mirë, për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.