Misioni i Radio KFOR-it që nga themelimi dhe në vazhdimësi, është që nëpërmes programeve, përveç informimit, edukimit dhe argëtimit, të promovojë dhe mbështesë tolerancën, paqen dhe bashkëpunimin ndëretnik në Kosovë. Nëpërmes programeve, aktiviteteve dhe fushatave për paqen, Radio KFOR-i qëndron pas shumë storieve të suksesshme të bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme në Kosovë dhe tolerancës shumetnike.
Një nga ngjarjet që pasqyron më së miri harmoninë ndëretnike dhe tolerancën në Kosovë, është historia e zotëri Fadil Rama, nga fshati Strezofc, komuna e Kamenicës, i cili vazhdon të kujdeset për një të moshuar nga komuniteti serb, Vladica Diçiq (Vladica Dičić), e cila jeton e vetme: Zotëri Rama, në lidhje me këtë ngjarje kishte thënë: “Ajo ka pasur nevojë për ushqim e për pastërti, prandaj kemi vendosur unë dhe familja ime t’i ndihmojmë, sepse thosha se mund edhe të vdes për bukë, e do të ishte turp për mua, familjen time e për të gjithë. Çdo të dytën apo tretën ditë ia kam dërguar ushqimin dhe nuk e kam shikuar a është serbe apo çfarë nacionaliteti ka. Kur shkoj atje, ajo më uron në gjuhën serbe dhe qanë nga gëzimi kur më sheh që po i dërgoj ushqim. Nuk bën të bëjmë dallime kur dikush ka nevoj për ndihmë sepse nuk ka rëndësi a është shqiptar, rom, serb apo çfarë besimi ka, por duhet të ndihmojmë secilin nëse kemi mundësi.”
E nderuar dhe falënderuese ishte përgjigjur edhe Vladica Diçiq e cila gjatë vizitës që i bëri Radio KFOR-i ishte shprehur: “Tavolina ime tani është e mbushur plot. Njëri nga djemtë e mi është në Beograd, por ne nuk dëgjohemi me njëri-tjetrin dhe tjetri është në Kamenicë me gruan e tij. Zoti e ndihmoftë këtë vëlla nga Strezofci. Ai më solli një tryezë plot me ushqim.”
Kjo ngjarje, është vetëm një nga storiet e shumta që Radio KFOR-i promovon dhe nëpërmes rasteve të tilla, dëshmon se harmonia ndëretnike dhe barazia shoqërore për të gjithë njerëzit në Kosovë, janë prioritet i misionit të radios sonë.