Festivali ‘Rock United’ këtë vit organizohet duke bërë bashkë rock grupet nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, në mbështetje të muzikës dhe kulturës rock, nën moton, “Një për të gjithë, të gjithë për Rock”.
Festivali do të fillojë në Amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë, në Prishtinë, më 6 dhe 7 shtator, nga ora 18:00.
Në një intervistë për Radio KFOR-in zëdhënësi i këtij festivali, Kreshnik Berisha, tregoi për qëllimin e festivalit që do të bashkojë adhuruesit e muzikës rock:
“Qëllimi kryesor i këtij festivali është që të vazhdojë tradita e rock-ut, e cila në Kosovë ka fillet tek vitet e 60-ta dhe të promovohet kjo kulturë tek të rinjtë, me pjesëmarrje më të madhe të bendeve të reja, duke përfshirë të gjitha komunitetet në Kosovë. Ky festival, që është shumë i mirëpritur nga të gjithë ata që e vlerësojnë kulturën rock, do t’i bashkojë gjeneratat e ndryshme të krijuesëve, ku veprat, përvojat dhe idetë e grupeve pjesëmarrëse do të shkëmbehen dhe përdoren si mësim për gjeneratat e reja”.
Gjatë dy netëve të festivalit do të ketë dymbëdhjetë performanca live të bendeve lokale dhe rajonale, si: ‘Grupi 403’,‘The Mole Pack’, ‘Zwada’, ‘Vini e Veni, Gillespie, Purgatory, ‘Elita 5’ dhe bende të tjera.
Organizatorët e festivalit kanë paraparë që vitin e ardhshëm të ftojnë edhe rock grupe ndërkombëtare.