Me gjithë të mirat që na ka sjellur teknologjia, çdo ditë rreziku nga hakimet sa vjen e shtohet. Pavarësisht a jeni person që mendoni se nuk ka kush interesim që t’ ju hyjë në rrjetet sociale, gjithmonë mendoni që megjithatë ‘dikë kureshtja është duke e mbytur’.
Një prej IT-ve të parë në Kosovë, e që ka 20 vjet përvojë në fushë e Teknologjisë së Informacionit, është Burim Kllokoqi, i cili për Radio KFOR-in tregon se si duhet të mbrohemi nga hakimet në internet.
“Para se gjithash unë rekomandoj që shumica e rrjeteve sociale, që besoj që shumica e dëgjuesve tuaj kanë rrjete sociale dhe i shfrytëzojnë rrjetet sociale, duhet që ta bëjnë një lloj rregulli që ta ndërrojnë password-in çdo tre muaj maksimalisht çdo gjashtë muaj. Gjithashtu, ai password duhet të ketë një lloj karakteri që është pak më karakteristik, jo ato paswordet standare: emrat e fëmijëve ose emrat e shokëve…por duhet të jetë diçka më e komplikuar. Njëri prej karaktereve duhet të jetë i madh, pastaj duhet të jetë pak më karakteristik, pak më i rrallë dhe patjetër password-i duhet të ketë edhe numra”, tha Burimi dhe më tutje shtoi:
“Mjafton vetëm të kemi internet dhe gjithmonë jemi të rrezikuar, pra siguria më e mirë është që të mos jeni fare i lidhur në internet. Momentin që je i lidhur në internet gjithmonë ekziston rrezikshmëria. Sa më pak të përdoren mjetet që nuk janë tuajat (personale), por, nëse i përdorë patjetër duhet të bëni ‘log out’ përpara se të largoheni nga ajo pajisje, e njëjta vlen edhe për telefonat, të cilat nuk duhet të lihen pa password. Rrjetet sociale mund të thyhen nga hakerë, por atë gjë mund ta bëjnë edhe persona të thjeshtë të cilët kanë informata bazike për ju. Prandaj, është shumë me rëndësi që çfarëdo informacione që vendosni në internet, qofshin ato në rrjetet sociale apo në email, mund të keqpërdoren”.
Ditët e sotme, jo vetëm individë mund të thyejnë rrjetet sociale, por edhe vet rrjetet sociale nuk ofrojnë siguri të mjaftueshme. Kujtojmë këtu edhe Facebook-un i cili u dënua me një gjobë rekord prej 5 miliardë dollarësh, në lidhje me shkeljen e privatësisë.