Ushqimi i shëndetshëm, është njëri ndër faktorët kryesor dhe më i rëndësishmi, për mirëqenien tonë. Përveç, aktivitetit fizik, ushqimi i shëndetshëm ndikon që të ndihemi më mirë, të rrisim imunitetin dhe të gëzojmë shëndet të mirë. Radio KFOR-i bisedoi me nutricionisten, Dafina Demolli, e cila ndau disa këshilla për tu ushqyer më shëndetshëm gjatë stinës së verës dhe ushqimet që preferohet të konsumohen gjatë kësaj kohe: “Gjatë stinës së verës, njeriu duhet të shijoj bollëkun e natyrës, me qasjen në fruta dhe perime të ndryshme, sidomos ato me përmbajtje më të lartë të ujit dhe vitaminave. Arsyeja që po e përmendim ujin dhe vitaminat si faktorë kryesor, është për shkak të dehidrimit që mund të ndodhë si pasojë e temperaturave të larta dhe në të njëjtën kohë, nga mos konsumimi i mjaftueshëm i ujit gjatë kësaj kohe. Ndërsa vitaminat janë mikronutrient që kujdesen për sistemin tonë imunitar, pasi që gjatë periudhës së verës ne ballafaqohemi me viruse të shumta. Frutat dhe perimet sezonale që vlen të përmenden janë: shalqiri me 96% ujë, vitamina A, vitamina C, kaliumi, vitamina B6, pastaj mango me 83% ujë, vitaminat A, K, folate, magnez, grejpfruti me 91% ujë, pjeshka me 89% ujë dhe vitamina B,C,A etj.”
Ushqimet që duhet evituar gjatë kësaj periudhe sipas nutricionistes, Demolli, janë: ushqimet me shumë kalori, mishi i kuq, ushqimet e shpejta (Fast food), ëmbëlsirat, pijet me shumë sheqer dhe alkooli.