Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), mbështetur financiarisht nga Ambasada italiane, ka filluar trajnimin “Rritja e kapaciteteve operacionale të Policisë së Kosovës në luftën kundër dhunës në familje”.
Në faqen zyrtare të Policisë, njoftohet se fazë e parë e projektit është planifikuar një trajnim pesë ditor (nga data 4 deri më 8 shkurt 2019) për trajnimin e trajnerëve si reaguesit e parë në rastet e dhunës në familje. Fillimisht do të trajnohen dymbëdhjetë oficerë policie, ku ata pastaj do të zhvillojnë trajnime për policët e tjerë.
Qëllimi i trajnimit është që oficerët e trajnuar të fitojnë njohuri më të avancuara, praktika dhe metoda se si të trajtohen rastet e dhunës në familje.