Dashuria, lumturia dhe shëndeti janë ndër përbërësit kryesor të formulës për një jetë të lumtur. Të qenurit i lumtur, të mundëson t’i bësh edhe të tjerët të lumtur dhe të përçosh sa më shumë energji pozitive tek ta. Se çfarë rëndësie ka dashuria dhe të qenurit i lumtur, u përgjigjën disa dëgjues të Radio KFOR-it, derisa ata kanë edhe një porosi për të gjithë ju:
– “Sot dua t’ju them që të shpërndani sa më shumë dashuri për njerëzit që keni pranë vetës. Kjo do t’ju bëjë të lumtur në fund të ditës”, thotë Era Pireva, e cila punon si Zyrtare për Media, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
– “Në jetë duhet të jemi falënderues për gjërat që i kemi. Të kesh pranë vetës njerëzit që i do, është dhurata më e madhe. S’ke se si të mos jesh e lumtur pastaj”, thotë Teuta Selmani, nënë e dy fëmijëve, dhe punëtore në kompaninë e tekstilit ‘Agnesa’, në Podujevë.
– “Për mua dashuria është e shenjtë. Dashuria ndaj nënës, ndaj familjes, ndaj njerëzve të tjerë përreth nesh. Dashuria të bën të ndihesh mirë, të mbush me jetë”, thotë Valmir Muçiqi, student i nivelit master, në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’.
Në jetë është shumë e rëndësishme të jemi pozitiv dhe të përjetojmë ndjenjën e lumturisë thotë për Radio K4 edhe psikologia klinike, Antigona Qenaj Sejdiu, e cila më tej shtoi: “Si rezultat i këtij përjetimi trupi ynë do të ndihet i lumtur, gjithashtu më i relaksuar, më i gjallë dhe përplot energji.”