Përmbledhjen javore nga fusha e teknologjisë e fillojmë me Google, ku kompania amë e saj, Alphabet, ka rritur vlerën e aksioneve për 2 trilionë dollarë. Bëhet e ditur se aksionet e Alphabet së fundmi u rritën për 10 për qind, duke i dhënë kompanisë një shtysë prej 2 trilionë dollarëve, vlerë kjo të cilën kompania e ka arritur për herë të fundit në vitin 2021.
Të reja këtë javë kishim edhe nga kompania Tesla, e cila aksidentalisht zbuloi detaje rreth Modelit 3, të përditësuar. Bëhet e ditur se vetura e re do të prodhojë prej mbi 500 kuaj fuqi dhe thuhet të jetë modeli më i fuqishëm nga Tesla.
Nga kjo javë kemi edhe një konkurrent të rrjeteve sociale. Fjalën e kemi për AirChat, që është rrjet social i fokusuar në zë. Ekipi që qëndron pas AirChat, kanë thënë se besojnë se zëri është një medium shumë më intim në krahasim me komunikimin tekstual, prandaj AirChat pritet të ketë treg të gjerë. Përdoruesit e AirChat mund të postojnë përmbajtje, të ndjekin përdoruesit e tjerë dhe mund t’u dërgojnë mesazhe direkt përdoruesve të tjerë të aplikacionit, por në vend të përdorimit të tekstit, fokusi është tek zëri.