Finalja e madhe “Super Bowl”, konsiderohet si ngjarja sportive më e madhe në botë. Mediat amerikane kanë treguar që ngjarjen e fundit ‘Super Bowl’, e cila u mbajt më 3 shkurt, të këtij viti, 110 milionë shikues e kanë ndjekur drejt për së drejti dhe që prej vitesh po vazhdon të mbetet ngjarja më e ndjekur në SHBA. Ndaj, NFL (National Football League) dhe televizioni CBS (që ka transmetuar në Amerikë këtë ndeshje), kanë vendosur në fushë 256 mikrofona elektronikë, më shumë se 100 kamera në çdo cep të stadiumit dhe 3 kamera ajrore, e tëra kjo, për ta mbuluar 360 shkallë, këtë ngjarje të madhe sportive.
Duhet të përmendim edhe faktin se stadiumi ku është luajtur finalja, ka qenë i mbuluar me “free WiFi” nga 1300 burime interneti, për t’u dhënë mundësi fansave të postojnë emocionet e kësaj finaleje.
Biletat për finalen e ‘Super Bowl’, kryesisht shiten sa hap e mbyll sytë dhe aty mund të jenë vetëm 70 mijë fatlumë, që kanë pasur këtë mundësi ta shohin nga afër ndeshjen. Çmimi zyrtar i biletave varion nga 500 deri në 1800 dollarë, por në internet çmimi për një biletë në ndeshjen e fundit, shkoi deri në 28 mijë dollarë.