16 qershori shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Remitencave Familjare’, e cila njeh kontributet financiare nga 250 milion punëtorë emigrantë në zhvillimin e qëndrueshëm ndërkombëtar. Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) u bën thirrje qeverive, sektorit financiar dhe operatorëve të transferimit të parave që të angazhohen në një qasje ndër-sektoriale për të lehtësuar dërgesat më të lira, transparente dhe më të arritshme në të gjithë botën, që shfrytëzojnë potencialin e tyre të plotë për zhvillim. Sipas një studimi të realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, remitencat e dërguara nga emigrantët kosovarë vazhdojnë të luajnë rol shumë të rëndësishëm për mirëqenien e një numri të madh të qytetarëve të Kosovës si dhe për ekonominë e vendit në tërësi.
Ekonomitë familjare në Kosovë marrin dy lloje remitencash, ato të dërguara nga emigrantët në formë të parave të gatshme dhe remitencat e dërguara në formën e mallrave dhe shërbimeve p.sh. siç janë pajisje elektronike, makina, veshmbathje etj.
Mirëpo edhe një formë e tretë e remitencave për ekonominë e një vendi, janë edhe shpenzimet që emigrantët i bëjnë personalisht gjatë vizitave të tyre në vendlindje.