Data e sotme (21 shkurt), është e veçantë për të gjithë popujt, sepse pikërisht në këtë datë shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare’, e cila tregon rëndësinë e shumëllojshmërisë dhe varietetin e gjuhëve në mbarë botën.
Se cila është rëndësia e gjuhës amtare dhe sa të kujdesshëm duhet të jemi në ruajtjen e saj, për Radio KFOR-in foli njohësi i dalluar i gjuhës shqipe, linguisti i njohur, Prof. Rrahman Paçarizi: “Gjuha amtare është një ndër shenjat më identitare të një kombi, prandaj në ‘Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare’, duhen shtuar përpjekjet për forcimin e rëndësisë së gjuhëve amtare anembanë botës. Linguistë të ndryshëm pohojnë se në trended globale, gjuhët amtare janë ato që pësojnë dhe për pasoj vdekjet e gjuhëve të vogla janë të përditshme. Kjo, sigurisht që e dëmton pasurinë e përbashkët gjuhësore të njerëzimit, prandaj përpjekjet për ruajtjen e gjuhëve amtare, sado të vogla të jenë dhe sado të parëndësishme të duken në planin global, është një detyrë me rëndësi për gjuhëtarët, për të cilët nuk ka gjuhë të parëndësishme. Gjuha shqipe, së këndejmi, nuk hyn në mesin e gjuhëve të rrezikuara nga zhdukja, qoftë për shkakun se flitet nga një popullsi vitale, qoftë për shkakun se ka shenja të forta identitare dhe veçantie në raport edhe me gjuhët e tjera indo-europiane. Mirëpo, kjo nuk guxon të na e krijojë ndjenjën e rehatisë, por, gjuhëtarët, shkrimtarët dhe gazetarët janë ata që duhet ta ruajnë, ta zhvillojnë e ta fisnikërojnë gjuhën amtare. Natyrisht, gjuha nuk është pronë e atyre që e përdorin në domenin publik, por e të gjithëve në të gjitha domenet e situatat e përdorimit. Prandaj, kujdesi dhe zhvillimi i gjuhës është detyrë e të gjithëve”, nënvizoi prof. Paçarizi.
Në botë ekzistojnë rreth 370 milionë njerëz që janë popuj indigjenë dhe gjuhët e tyre përbëjnë shumicën e rreth 7.000 gjuhëve të gjalla, e po ashtu shumë popuj indigjenë vazhdojnë të vuajnë nga margjinalizimi, diskriminimi dhe varfëria ekstreme dhe janë viktima të shkeljeve të të drejtave të njeriut.