Çdo vit, më 24 janar, shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Edukimit’, me qëllim të vënies në pah të rolit që arsimimi ka në sjelljen e paqes globale dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Në këtë ditë, ku ndër të tjerash theksohet edhe roli i arsimimit në luftimin e analfabetizmit, Radio KFOR-i ka kontaktuar mësuesen në SHFMU, “Daut Bogujevci”, në Fushë Kosovë, Znj. Dijana Mehmeti, e cila tha: “Të jesh mësues sot nuk është vetëm profesion i rëndomtë, punë apo detyrë për t’u kryer, por është një mision i rëndësishëm, duke pasur parasysh gjithmonë vlerën, rëndësinë dhe peshën e të qenurit mësues. Të gjithë ne e dimë se në shkollë marrin formë dhe jetë personalitetet, profesionet, shkathtësitë, karakteret dhe e ardhmja e një vendi. Kur flasim për rëndësinë dhe kontributin e të qenurit mësues, në mendje më vijnë fjalët e të madhit, Sami Frashëri, i cili shprehet ‘Nëse do të mbjellësh për një vit, atëherë mbill misër e grurë, por nëse do mbjellësh për gjithë jetën, atëherë mbill arsim dhe kulturë’.”
24 Janari është shpallur si ‘Dita Ndërkombëtare e Edukimit’, më 3 dhjetor të vitit 2018, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Kujtojmë se edukimi është një e drejtë, të cilën e kanë të garantuar me ligj të gjithë njerëzit dhe se e drejta për arsim, është e parashikuar në nenin 26 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.