Të mërkurën (18.08.21), Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër përhapjes së korona virusit, të cilat do të hyjnë në fuqi nga data e sotme (20.08.21). Përveç bartjes së obligueshme të maskës në ambiente të mbyllura dhe gjatë lëvizjes në grup, është kufizuar edhe orari i gastronomisë, teksa janë anuluar të gjitha ahengjet familjare dhe janë mbyllur klubet e natës deri me datën 1 shtator.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se masat e reja kufizuese, kanë për qëllim kontrollin dhe parandalimin e shpërndarjes së Covid-19. Në bazë të këtij vendimi, që hyn në fuqi sot, do të mbyllen klubet e natës, gastronomia do të punojë deri në orën 22:30, eventualisht 23:00. Ministri Vitia, përmes konferencës për media, ka bërë të ditur se në kuadër të masave të reja janë ndaluar mbajtja e ahengjeve e dasmave dhe ndër të tjera, tha: “Në situatën aktuale jemi të detyruar të ndërmarrim masa që vënë në pah shëndetin publik të qytetarëve. Nga data 20 gusht do të mbyllen klubet e natës, do të ndalohen ahengjet si fejesat, dasmat e tjerë. Nga momenti i publikimit të këtij vendimi në gazetën zyrtare do të shkurtohet orari i gastronomisë. Nuk do të lejohet që asnjë person të futet në ambientet e mbyllura apo në transportin publik, pa maskë, edhe pse kjo ka qenë nga masat paraprake, por tani do të rritet mbikëqyrja dhe monitorimi. Të gjithë qytetarët që vijnë nga vendet e cilësuara me rrezikshmëri të lartë, duke përfshirë edhe qytetarët tanë, do t’iu kërkohet certifikata e vaksinimit dhe testi negativ”, tha Vitia.