‘Është e thjeshtë të shkatërrosh gjithçka; heronj të vërtetë janë ata që krijojnë dhe ndërtojnë paqe’, kjo është ndër thëniet e mençura të atij që më së miri e personifikonte njeriun këmbëngulës, deri në vetëflijim, për të arritur paqen ndërnjerëzore, Nelson Mandela.
Pikërisht sot, 18 korrik, shënohet ‘Dita Botërore e Nelson Mandelas’, në ditën e lindjes së tij, e shpallur nga OKB-ja si shenjë mirënjohjeje për kontributin e madh të tij që dha deri në ditën e vdekjes, më 5 dhjetor të vitit 2013.
Kontributi i tij shquhej ndër vite. Në vitin 1962, Mandela u burgos dhe u dënua me 5 vjet heqje lirie. Në vitin 1964 u dënua me burg të përjetshëm, sepse kishte planifikuar luftë të armatosur. Në vitin 1985 atij iu ofrua mundësia e lirimit, në qoftë se do të pranonte ndalimin e aktivitetit të armatosur, por ai refuzoi. Në vitin 1990 pas një kampanje të ‘ANC’ dhe presionit ndërkombëtar ai u lirua pa kushte.
Vlen theksuar, që Nelson Mandela u nderua me çmimin Nobel per Paqe, në vitin 1993 , ndërsa në vitin 1994 u zgjodh president i Afrikës Jugore, duke u bërë presidenti i parë me ngjyrë në këtë vend.
Kombet e Bashkuara, i ftojnë të gjithë që të shënojnë këtë ditë, përmes ndonjë ndryshimi pozitiv për komunitetin, duke nënvizuar faktin se të gjithë kanë aftësinë dhe përgjegjësinë të ndryshojnë botën për të mirë.