Ndër virtytet më të mëdha që ka njeriu, është edhe të qenurit human, e këtë më së miri e përkufizon thënia e humanistes më të madhe shqiptare që e njohu edhe bota, Shën Nënë Terezës, e cila thoshte ‘Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me shumë dashuri’.
Pikërisht sot (19 gusht), shënohet ‘Dita Botërore e Humanizmit’ dhe për të shënuar këtë datë Radio KFOR-i, mori një prononcim nga drejtoresha e Organizatës Humanitare “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, znj. Edita Dula: “Gjatë jetës sime, kam realizuar një sër detyrash, qoftë si nënë, bashkëshorte e mike e dikujt, pastaj përmes profesionit tim si aktore e humoriste, mirëpo roli që më ka përmbushur si qenie njerëzore, është roli që kam tash e sa vite në organizatën që drejtoj bashkë me miket e mia të mrekullueshme, ku punojmë çdo ditë për të ia lehtësuar jetën atyre që kanë më së shumti nevojë, në rastin tonë, nënave vetushqyese dhe fëmijëve të tyre”.
Njerëzit që po i ndihmojnë të tjerët gjatë këtij viti, qoftë individualisht apo përmes organizatave të ndryshme, po përballen me vështirësi të shtuara për shkak të pandemisë së krijuar nga virusi Covid-19.