Bota sot shënon ‘Ditën e Kujdesit Ndaj Shëndetit Mendor’, duke krijuar mekanizma mbrojtës dhe sensibilizues për shoqërinë ndaj rrezikut të sëmundjeve mendore. Sipas ‘Organizatës Botërore të Shëndetësisë’, shëndeti mendor përkufizohet kështu: “Shëndeti mendor është një gjendje mirëqenie në të cilën individi realizon aftësitë e tij, mund të përballojë streset normale të jetës, mund të punoj në mënyrë produktive dhe frutdhënëse dhe është në gjendje të kontribuoj në komunitetin e tij”.
Kjo ditë u shënua për herë të parë në vitin 1992 me iniciativën e ‘Federatës Botërore të Shëndetit Mendor’, duke përfshirë rreth 150 shtete në të gjithë botën për kujdesin e shëndetit mendor.
Edhe në Kosovë për nder të kësaj ditë, do të shënohen një sërë aktivitetesh. Iniciativa psiko-sociale ‘Social Lab’, ka organizuar një panel me temën: ‘Si përceptohet shëndeti mendor tek ne’, i cili mbahet sot (10.10.18) nga ora 17:00 në ‘Venture UP’, që gjendet në Universitetin e Prishtinës, ‘Hasan Prishtina’ .
Në një intervistë për Radio KFOR-in themeluesja e iniciativës ‘Social Lab’, Eurisa Rukovci, tregoi për aktivitetin që do të organizojnë dhe për rëndësinë e kësaj teme në shoqëri:
“Ne kemi menduar të bëjmë një aktivitet që do të shënoj këtë ditë, duke folur me ekspertë të fushës së psikologjisë, se si përceptohet shëndeti mendor në shoqërinë tonë. Ne po ashtu kemi hapur këtë organizatë pikërisht për këtë qëllim, që ta bëjmë temë të përditshme shëndetin mendor tek ne. Qëllimi ynë është të veprojmë në të mirën e komunitetit dhe të rrisim vetëdijësimin ndaj fenomeneve psikologjike dhe të ndikojmë drejtëpërdrejtë në prioritizimin e shëndetit mendor”, tregoi Eurisa.
Të prekurit me sëmundje mendore në botë përbëjnë 16% të sëmundjeve tek njerëzit e moshës 10-19 vjeçare. Ndërsa gjysma e të gjitha sëmundjeve mendore fillojnë nga mosha 14 vjeçare por që në shumicën e rasteve janë të pa zbuluara dhe të pa trajtuara ndërkaq, globalisht, depresioni është një nga sëmundjet kryesore tek adoleshentët.
Pikërisht për shkak të këtyre fakteve të publikuara nga ‘Organizata Botërore e Shëndetësisë’, këtë vit fokusi do të jetë shëndeti mendor tek adoloshentët për të rritur ndërgjegjësimin e kujdesit ndaj sëmundjeve mendore në këtë kohë.