Se bartja e maskës në këtë periudhë pandemie, është e një rëndësie jetike, tashmë e kemi kuptuar të gjithë, edhe pas thirrjeve të vazhdueshme nga profesionistët shëndetësorë. Megjithatë, mund të ketë akoma njerëz që nuk respektojnë masat rekomanduese, duke mos besuar në rëndësinë që ka maska në ruajtjen e shëndetit tonë.
Radio KFOR-i ka realizuar një intervistë me mjekun specialist të sëmundjeve infektive, Dr. Nderim Hasani, i cili mes tjerash tha: “Rëndësia e bartjes së maskës është edhe më e madhe kur kemi të bëjmë me qëndrimin e njerëzve në ambiente të mbyllura, ndërsa sa i përket bartjes së maskës në ambiente të hapura, mendoj se duhet rishikuar rekomandimet për bartje të maskës, nëse p.sh. një njeri është duke qëndruar ose duke ecur në ambiente të hapura (natyrë) nuk mendoj se është më e dobishme bartja e maskës, sesa marrja e ajrit të pastër të natyrës. Është edhe një gjë që duhet potencuar, koha e mbajtjes dhe kohë zgjatja e mbajtjes së një maskës dhe lloji i saj, pra cilat janë maskat që mbrojnë. A mbrojnë të gjitha llojet e maskave njëjtë.”
Pavarësisht faktit që maskat janë obliguese për secilin prej nesh, të shumtë janë qytetarët që i vendosin ato në mënyrë të gabuar, apo edhe nuk i vendosin fare, duke rrezikuar veten dhe duke u bërë po ashtu potencialisht bartës i virusit.