Radio zë vendin e parë, si burimi numër një për zbulimin dhe transmetimin e këngëve të reja. Edhe pse teknologjia ka avancuar, prapë se prapë radio mbetet mediumi më i kërkuar për të transmetuar dhe për të dëgjuar këngët më të reja. Në vendin tonë, Radio KFOR-i mbetet njëri nga mediumet më të pëlqyera nga dëgjuesit edhe sa i përket hiteve. Për të ditur se cili është sekreti, dëgjojmë se çfarë na thotë, përgjegjësi për muzikë në Radio KFOR, Faton Dolaku: “Në Radio KFOR muzika është primare. Unë e përcjell muzikën në të gjitha platformat me gjuhë të ndryshme, në mënyrë që të jemi në hap me çdo këngë e produksion të ri. Jam në kontakt me shtëpitë incizuese dhe zyrat për muzikë anembanë botës që të kemi muzikën më të re dhe më kualitative. P.sh. ka raste të shpeshta kur punoj edhe në orë të vona të natës duke i edituar këngët e sapo lansuara nga Amerika, Kanada, Australia e vende Latine, që pastaj në mëngjes të jenë të gatshme për dëgjuesit tanë. Sigurisht, më duhet të potencoj se nuk është e lehtë, duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse siç edhe i keni dëgjuar këngët të cilat transmetohen tek ne, ato nuk kanë përmbajtje eksplicite dhe gjuhë të urrejtjes.”
Falë muzikës bota është më e bukur. Siç thoshte edhe Napoleon Bonaparta “Muzika është ajo që na tregon se racat njerëzore janë më të mëdha sesa ne mund të realizojmë.”