Shfaqja e pandemisë vështirësoi aktivitetet në të gjithë sektorët, por falë punës dhe profesionalizmit Policia e Kosovës edhe përgjatë kësaj periudhe, duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, në vazhdimësi ka realizuar detyra konkrete në gjithë territorin e Kosovës.
Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun pranë Policisë së Kosovës, për Radio KFOR-in tregoi më konkretisht rreth kësaj periudhe: “Që nga shfaqja e rasteve të para më COVID-19, në mars të vitit 2020, ne kemi hartuar një Plan Operativ në të cilin janë paraparë veprimet dhe aktivitetet policore. Ky plan ka pësuar përditësime të vazhdueshme varësisht nga vendimet e institucioneve karshi masave për parandalim të përhapjes së pandemisë”.
Meqë, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër përhapjes së korona virusit, të cilat do të jenë në fuqi deri më datën 1 shtator, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që t’u përmbahen rregullave dhe t’i respektojnë masat anti-COVID – 19.