‘Dita Ndërkombëtare e Përkthimit’, festohet çdo vit me 30 shtator, e caktuar nga Kombet e Bashkuara, për të nderuar punën e profesionistëve të gjuhës, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në bashkimin e kombeve, lidhjen e njerëzve me kultura të shumta dhe njohjen e botës nëpërmes përkthimit.
Përkthyesi nga gjuha angleze në gjuhën shqipe Fitim Salihu, përkthyes i shumë veprave publicistike në shqip dhe anasjelltas, në një intervistë për Radio KFOR-in tregoi për rëndësinë e përkthimit:
“Duke qenë një vend me numër të vogël të qytetarëve rrjedhimisht me një letërsi të vogël, kjo e shton rëndësinë e të pasurit sa më shumë libra në gjuhën shqipe prej letërsive më të mëdha botërore. Po ashtu për sa kohë që jo secili është në gjendje me lexu në gjuhë të huaja, rëndësia e përkthimit bëhet më e madhe për t’i sjellë lexuesit vepra më të mira të letërsisë sidomos në gjuhën shqipe”, tregoi Salihu.
Të përkthesh është një mjeshtëri që kërkon angazhim, njohuri të përgjithshme dhe mbi të gjitha dashuri për librin. Përkthyesit mund të konsiderohen njohësit më të mirë të kulturave, njerëzve, vendeve dhe informacioneve të shumta duke u kthyer në persona me njohuri në shumë fusha.