Yoga është disiplinë që përfshin benifite të shumta shëndetësore, ku përfshihet ekuilibri i mendjes dhe trupit. Për herë të parë në Kosovë do të organizohet panairi i jogës ‘Shanti Yoga Fair’, me 25 janar në hapësirat e fondacionit ‘Shtatëmbëdhjetë’, në Prishtinë duke filluar nga ora 11:00.
Në një intervistë për Radio KFOR-in drejtoresha ekzekutive e panairit, Dafina Mustafa, tregoi për të veçantat e këtij organizimi: “Panairi është organizuar nga ‘OJQ YOGA for ALL’, si vazhdimsi e Festivalit të Yogës,“Shanti Yoga Fest”. E veçanta e këtij panairi është njoftimi me instruktorë dhe mësues të jogës, të cilët praktikojnë stile të ndryshme të jogës, ku pjesëmarrësit do ta kenë mundësinë të marrin informata dhe oferta të ndryshme rreth klasave dhe programeve të jogës që ofrohen afër vendbanimeve të tyre. Pjesëmarrësit do të pajisen me broshura ku gjinden të dhënat dhe kontaktet e të gjitha studiove të jogës si dhe mësuesëve të pavarur (freelance) që operojnë në Prishtinë dhe qytete tjera të Kosovës.”
Panairi Shanti Yoga Fair 2020 është i hapur për të gjithë, duke përfshirë prindërit me fëmijë dhe përkrahet edhe nga ‘Komuna e Prishtinës’.