Ndryshimet klimatike janë shndërruar në shqetësim global. Për një gjë të tillë kanë filluar të organizohen aktivitete të ndryshme edhe në Kosovë, me qëllim të informimit të qytetarëve për hapat që duhet t’i ndërmarrin për adresimin e kësaj çështjeje.
Nesër (13.12.19), duke filluar nga ora 10:00 në Prishtinë do të mbahet një punëtori për shënimin e ‘Ditës së Veprimit Ndaj Ndryshimeve Klimatike’, organizuar nga “GAIA Kosovo”.
Radio KFOR-i ka kontaktuar koordinatorin e “GAIA Kosovo”, Granit Gashin, i cili tregoi për arsyen e organizimit të kësaj punëtorie:
“Ideja kryesore e organizimit të saj ka të bëjë me informimin e të rinjve, apo motivimin e tyre në mënyrë që ata të marrin hapa të caktuar për adresimin e problemit të ndryshimeve problematike. Në bazë të një pyetësori që kemi realizuar në fillim të këtij viti, kemi arritur në përfundim se shoqëria jonë është shumë e paqëndrueshme karshi kësaj çështjeje. Andaj, kemi mbajtur mbi 60 punëtori nëpër shkolla fillore, të mesme dhe fakultete, si dhe trajnime me aktivistë të ndryshimeve klimatike. Në eventin e nesërm do të ketë punëtori të shumta, muzikë, filma dhe debate, të cilat tentojnë të vënë diskurs publik për ndryshime klimatike”, tha ai.
Gashi ndër tjera bëri të ditur se në kuadër të kësaj punëtorie, do të organizojnë edhe një aksion për informimin e qytetarëve për ndryshimet klimatike, të cilëve më pas do t’iu shpërndajnë edhe fidane. Ky aktivitet parashihet të zgjasë deri në orën 24:00 dhe do të mbahet në “Sallën e Kuqe”, në Prishtinë.