Të gjithë nganjëherë kalojmë nëpër kohë të vështira. Në momente të tilla, e tëra që duam janë tingujt e muzikës, të cilët të krijojnë përshtypjen se po bashkëndjen me ne.
Kësisoj, muzika ka fuqi ta ndryshoj jo vetëm disponimin tuaj, por tërë botën. Radio KFOR-i ka kontaktuar disa dëgjues, të cilët i ka pyetur për këngën që do t’ia rekomandonin ata dikujt që është duke kaluar në kohë të vështira dhe përgjigjet e tyre ishin të ndryshme:
“Një këngë që u kisha rekomandu krejt atyre që janë duke kalu momente të vështira është kënga “Happy” e Pharrell Williams, sepse është një këngë shumë ritmike edhe të bon me vallëzu pavarësisht gjendjes emocionale”, thotë Vjosa.
“Të gjithë ata që rasisht munden me kalu momente të rënda në jetë iu propozoj me dëgju këngën “You’re not alone” të Michael Jackson edhe veç mendoni njerëzit që i keni rreth vetës edhe që janë në gjendje me ba gjithçka për juve edhe keni me kalu lehtë”, thotë Besniku.
“Të gjithë nganjëherë kalojmë nëpër momente të vështira dhe padyshim që muzika mbetet miku ynë më i mirë. Zakonisht preferoj me dëgju Alban Skenderaj në raste të tilla, për shkak të mesazheve pozitive që përçon përmes këngëve të tij. Po e përmendi një këngë që më pëlqen më së shumti që titullohet “Nuk je vetëm”, të cilën sa herë e dëgjon, të bën me i kujtu njerëzit që ke pranë vetës”, thotë Mirjeta.
Kur kaloni kohë të vështira, gjithmonë kujtoni se ne rilindim çdo mëngjes dhe e sotmja është ajo që ka rëndësi më së shumti.