Të rinj nga komunitete të ndryshme në Kosovë, të cilët janë duke vijuar studimet unversitare do ta kenë mundësi që të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes programit “Work&Travel”. Këtë vit, studentët kanë pasur mundësi që t’i përzgjedhin tri lokacione të SHBA-së për të punuar, si Virginia Beach, Atlantic City dhe Williamsburg. Nesër (10.01.20), duke filluar nga ora 15:00 do të mbahet “Panairi i 10 Janarit”, në të cilin të rinjtë që kanë aplikuar në këtë program mund të përzgjedhin vendin në SHBA se ku duan të udhëtojnë dhe të punojnë gjatë muajve të stinës së verës.
Për Radio KFOR-in, informacione shtesë për panairin e nesërm na dha drejtori i Agjencisë “Star Work & Travel”, Liri Efendiu: “Qëllimi i këtij panairi është që t’i informojë studentët më detajisht për programin “Work and Travel”. Do t’ua tregojmë disa vende në të cilat ata mund të shkojnë, e që janë fantastike, mund ta kalojnë një verë shumë të mirë dhe të paharruar atje. Por, gjithsesi se mund të shkojnë edhe për përfitime financiare. Pjesë e këtij programi mund të bëhen të gjithë studentët nga mosha 18 deri në 23 vjeç, përveç studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, të cilët kanë të drejtë të shkojnë deri në moshën 25 vjeç. Studentët duhet të jenë aktivë dhe pjesë e universiteteve të akredituara në Kosovë.”
Programi “Work&Travel” iu mundëson studentëve jo vetëm nga Kosova, por nga e gjithë bota që të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të punuar, duke u pajisur me vizë “J1”, e vlefshme për qëndrim disamujorë.