Periudha e pandemisë ishte sfiduese për gjithë, meqë ndryshoi krejtësisht mënyrën tonë të jetesës dhe të punës. Një prej sektorëve më të rëndësishëm në këtë kohë ishin edhe mirëmbajtësit e pastërtisë, të cilët edhe gjatë pandemisë kanë vazhduar punën përkundër rrezikut të lartë me infektim me CoViD-19. Rreth punës së tyre gjatë kësaj kohe dhe sfidave me të cilat janë përballur, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me zëdhënësen e kompanisë regjionale ‘Pastrimi’ , Arbnora Ademi: “Kompania Pastrimi gjatë gjithë kohës, edhe gjatë pandemisë nuk ka ndaluar punën. Gjatë pandemisë, kompania jonë ka shtuar ekipet dhe kapacitetet e veta dhe gjatë 24 orëve, kemi larguar vazhdimisht mbeturina për të lehtësuar situatën me pandeminë dhe të mos kemi ndonjë epidemi nga mbeturinat. Kompania jonë që mbulon shumë komuna të Kosovës, gjatë pandemisë ka pasur rreth 500 punëtor, që përkundër sfidave të shumta në pandemi, ata kanë punuar pa ndërprerë.”
Të gjithë njerëzit duhet të jenë kontribuues të mirëmbajtjes së ambientit, prandaj edhe znj. Arbnora, bëri thirrje që të jemi të vëmendshëm dhe të respektojmë natyrën dhe të mos hedhim mbeturina në vendet jo adekuate, për të lehtësuar punën e mirëmbajtësve të pastërtisë.