Qëndrimi në shtëpi në shumicën e rasteve konsiderohet si mundësi për relaksim. Gjatë kësaj kohe ndjekim pasionet dhe interesat tona të cilat mund të jenë të ndryshme, dikush pëlqen leximin e dikush tjetër është fans i serialeve televizive, me rëndësi është fakti që ne të kalojmë kohë të mirë brenda ambienteve shtëpiake.
Mirëpo, ndonjëherë ky qëndrim i tejzgjatur mund të jetë një sfidë e vështirë, prandaj për ju kemi disa ide nga dy personazhe të njohura, një gazetare dhe nje violinist. Gazetarja dhe njëherit moderatorja kosovare, Gentiana Hasani, tregoi për Radio KFOR-in se si është duke e kaluar këtë periudhë në profesionin e saj: “Gjatë pandemisë, në punën si gazetare thënë të drejtën kam punuar shumë më shumë se sa në ditët e zakonshme. Kam pasur rast me kontaktu me persona me të cilët komunikimi ka qenë thuajse i pamundur. E gjithë kjo për të sjellë tek qytetarët informacione të shpejta, të sakta dhe të paanshme. Andaj sot ne jemi jashtë, duke punu për ju me komplet brigadën tjetër, pra mjekët e policët. Kanë mbetur veç edhe pak ditë. Mos harroni, edhe pse të ndarë ne jemi prapë të gjithë bashkë në këtë luftë. Mesazhi im për të gjithë është ‘Shpëto jetë, rri n’shtëpi’.”
Ndërsa, violinisti i ri i talentuar, Pleurat Doli, na dha disa ide se si të kalojmë kohën në shtëpi: “Përshëndetje për dëgjuesit e Radio KFOR-it. Duke marr parasysh që jemi të gjithë të sprovuar në këtë kohë pandemie, unë ju sygjeroj të vazhdojmë të qëndrojmë në shtëpi edhe për pak kohë, gjatë kësaj kohe mund të kaloni kohën me aktivitete të ndryshme, duke provuar një recetë të re gatimi, ta ndryshojmë stilin e ushqimit e pse jo të lexojmë edhe ndonjë libër. Kënaquni në shtëpi.”