Virusi SARS-CoV-2 vazhdon të jetë temë aktuale kudo në botë, për shkak të numrit të vazhdueshëm të të infektuarve dhe të vdekurve si pasojë e tij. Në Kosovë, ditëve të fundit ka pasur ulje të lehtë të rasteve pozitive me Covid-19 dhe po ashtu një ulje të ngarkesës spitalore.
Drejtor i Departamentit të Informimit në Ministri të Shëndetësisë, Dr. Faik Hoti, në një prononcim dhënë Radio KFOR-it, tregoi për më shumë hollësi në lidhje me gjendjen aktuale me ‘Covid-19’ në vend: “Ditëve të fundit kemi mbi 200 pacientë më pak të hospitalizuar, por mbetet ende shqetësues fakti që numri i të vdekurve është i lartë, si pasojë e numrit të madh të personave të infektuar gjatë korrikut dhe në javët e para të gushtit. Duke qenë se vaksina kundër ‘Covid-19’, nuk është zhvilluar e aprovuar për përdorim, arma më e thjeshtë dhe më efektive të cilën qytetarët e kanë në dispozicion për t’u mbrojtur nga virusi, mbeten bartja e drejtë e maskës, ruajtja e distancës fizike dhe higjiena individuale e kolektive”, nënvizoi Dr. Hoti, duke shtuar po ashtu që edhe të rinjtë, si kategoria më aktive, duhet të tregojnë më shumë kujdes për t’i mbrojtur të moshuarit dhe prindërit nga virusi, duke bërë kujdes dhe duke zbatuar masat mbrojtëse të ndërmarra nga Qeveria dhe rekomandimet e IKSHPK-së.