Në këtë epokë teknologjike, të lexuarit e librave është zbehur dukshëm, mirëpo duhet kujtuar vetvetes faktin se libri është një lloj palestre e trurit, meqë e ushtron dhe e aktivizon atë, e ushqen me kuriozitete dhe e mëson gjëra të reja.
Për dashamirët e librit, Radio KFOR-i kontaktoi menaxherin e Librarisë Buzuku, në Prishtinë, z. Besian Zeneli, i cili na njoftoi për librat më të shitur të kohëve të fundit, nga ata për të rriturit, e deri tek librat për fëmijë: “Librat më të kërkuar të kohëve të fundit në librarinë tonë janë: ‘Promise me dad’ nga Joe Biden, ‘Shprehi atomike’ nga James Clear, ‘Ichigo Ichie’ nga Hector Garcia, ‘Historia e origjinës’ nga David Christian. Ndërsa, libri më i shitur për fëmijë në kohët e fundit, është libri ‘Çarli shndërrohet në pulë’, me autor Sam Copeland”, tregoi z. Zeneli.
Kujtojmë se përmes librit, ju udhëtoni, zgjeroni imagjinatën dhe horizontin tuaj të dijes dhe një lexues i zellshëm mund të zhbllokojë shumë mistere dhe të marrë shumë përgjigje të jetës, të cilat mund ta ndihmojnë atë në marrjen e vendimeve të shëndosha.