Përfaqësuesja e Kosovës sot (10 shtator) do ta zhvillojë ndeshjen e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “EURO 2020”.
Kosova sonte, në orën 20:45, do të luajë kundër Anglisë, në stadiumin “St. Mary’s” të Southampton-it.
Ky do të jetë ballafaqimi më i vështirë për përfaqësuesen e Kosovës për kualifikimet në “EURO 2020”.
Ballafaqimi do të bëhet akoma më i vështirë për shkak të mungesave të lojtarëve të lënduar, si: Milot Rashica, Arbër Zeneli, Hekuran Kryeziu e Herolind Shala.
Ndeshjen kundër Anglisë, Kosova do ta zhvillojë pas një serie prej 15 ndeshjeve pa asnjë humbje të vetme. Ndërkohë që ekipi i Anglisë nuk ka shënuar humbje në këtë fazë të grupeve që nga viti 2007.
Ndeshjen e fundit, ekipi i Kosovës e ka zhvilluar kundër Çekisë, të cilën e mposhti me rezultat 2-1, në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndërsa, Anglia, ndeshjen e fundit e ka luajtur me Bullgarinë, ndaj të cilës triumfoi me rezultat 4-0.
Në Grupin A aktualisht prin Anglia me nëntë pikë, derisa Kosova është në vendin e dytë me një pikë më pak – tetë pikë gjithsej.