Nga data 4 deri më 10 shkurt, Kino ARMATA në Prishtinë do të jetë nikoqire e edicionit të parë të “Festivali Mjedisor për Prosperitet të Përbashkët – ENTROPY”, që organizohet nga organizata joqeveritare – Fondacioni Jeshil. Për të mësuar më shumë rreth këtij festivali, Radio KFOR-i ka kontaktuar me Specialisten e Komunikimit dhe Ndërgjegjësimit në Fondacionin Jeshil, Edonë Kilaj-Avdyli, e cila tha: “ENTROPY – Environmental Festival For Joint Prosperity ose Festivali Mjedisor për Prosperitet të Përbashkët, është organizim disa-ditor që zhvillohet në Prishtinë dhe ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit në Kosovë për Mbeturinat Ushqimore dhe Veprimin Klimatik. Sivjet është hera e parë që e mbajmë dhe ky edicion inaugurues zhvillohet nën temën “E Drejta në Ushqim”. Programi përbëhet nga shfaqja e filmave dokumentar në Kino ARMATA dhe përmes një platforme online për audiencën e gjerë. Festivali është i hapur për të gjitha komunitete në Kosovë.”
Siç na njoftoi znj. Kilaj- Avdyli, përgjatë festivalit do të respektohen të gjitha masat në fuqi, për të parandaluar përhapjen e pandemisë së CoViD-19.