Që në fëmijërinë e tij të hershme, dëshira për të ekzekutuar në instrumente muzikore, ishte e madhe, duke i përcjellë tingujt e kitarës edhe me këngë, tekstin dhe melodinë e të cilave i realizonte vet. E kemi fjalën për artistin e ri, Floren, i cili ndonëse i lindur dhe i rritur në Zvicër, atje ku vazhdon të jetoj, rrënjët e tij nuk i harron. Radio KFOR-i, si medium që vazhdon të promovojë talentët e rinj që i përkasin fushave të ndryshme, ka realizuar një intervistë me Florenin, ku ndër të tjera, na ka rrëfyer rreth pasionit që ka për muzikën dhe projektin e realizuar së fundmi: “Në tekstet e këngëve të mia, shkruaj lirshëm për gjithçka që më rrethon dhe hip hopi dhe R&B vazhdojnë të kenë ndikim të madh në zhvillimin tim profesional dhe në muzikën që unë prodhoj. Këndimi ka një vlerë shumë të madhe për mua, sepse është mënyra e vetme që ma mundëson të mos belbëzoj, i njohur në botë si “stutter”, e cila ju ka ndodhur edhe Ed Sheeran, Bruce Willis, Julia Roberts etj. Kënga im e re titullohet “Green Light”, orkestrimin e të cilës e ka realizuar producenti zviceran RuckP, me tekst timin dhe me videoklip të realizuar në Zvicër, nga regjisori Anil Sarikaya. Kjo këngë tashmë dëgjohet në shumë radiostacione të njohura në Zvicër dhe jam i ngazëllyer që po dëgjohet edhe në Radio KFOR.”
Artisti Floren, tregoi se ndjehet i lumtur që shumë artistë me prejardhje shqiptare tashmë janë emra me renome botërore, në mesin e të cilëve, në një të ardhme të afërt shpreson të jetë edhe ai.