Nga data 16 e deri më 22 gusht, Mitrovica ka qenë nikoqire e një laramanie aktivitetesh që janë mbajtur në kuadër të ‘Green Fest’. Aktivitetet janë shtrirë në disa lokacione të qytetit, duke ofruar një program shumë të pasur tek e gjithë audienca. Për të kuptuar më shumë për edicionin e XI-të me radhë të Green Festival-it, Radio KFOR-i ka intervistuar Drejtorin e Organizatës ‘7Arte’, që njëherit është edhe organizatorë i festivalit, z. Lulzim Hoti: “Edicioni i 11-të i ‘Green fest’, ka pasur për temë “Ndrite qytetin” dhe ka trajtuar potencialet e mundësitë që i ofron qyteti, në shfrytëzimin e hapësirave të pashfrytëzueshme, të braktisura me qëllim të përdorimit të tyre për nevoja shoqërore, sociale, të komunitetit. Në anën tjetër kemi pasur një program edukativ që ka përfshirë aktivitete të ndryshme, duke filluar prej debateve e ligjëratave të ndryshme ‘Green Talks’, shfaqje të filmave, promovim libri, ekspozita artistike, instalacion, punëtori vizionimi etj. Ndërsa, në dy netët e fundit kemi pasur muzikë, në natën përmbyllëse ka performuar bendi Shega, që vijnë nga Italia si dhe këngëtari Eugent Bushpepaj.”
Z. Hoti, u shpreh i kënaqur me edicionin e sivjetmë, pasi edicioni i shkuar i ‘Green Fest’, u mbajtë në rrethana të masave të rrepta kundër CoViD-19 dhe festivali u mbajtë online.