Sipas ‘Organizatës Botërore të Shëndetësisë’, rreth 422 milion njerëz në botë vuajnë nga diabeti. Diabeti është sëmundje e cila shkaktohet nga nivelet e larta të glukozës apo sheqerit në gjak.
Ekzistojnë dy lloje të diabetit, tipi 1, është mungesa e mjaftueshme e insulinës në gjak dhe tipi 2, është rezistenca ndaj insulinës. Dita e sotme, 14 Nëntor, shënon ‘Ditën Botërore të Diabetit’, përmes së cilës u bëhet thirrje për ndërgjegjësim dhe gjetje të mënyrave të reja, për të mbrojtur dhe përkrahur personat me diabet. Për nder të kësaj dite, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me endokrinologen/diabetologen, Dr. Merita Emini Sadiku, e cila foli për rëndësinë e kësaj dite dhe rritjen e numrit të personave me diabet në botë: “Dita Botërore e Diabetit është një ditë e veçantë për pacientët diabetik dhe gjithë komunitetin e endokrinologëve dhe diabetologëve. Në këtë ditë ngritet zëri fuqishëm për të drejtat e këtyre pacientëve, ngritjen e kapaciteteve të shërbimeve dhe përmirësimit të kushteve të trajtimit të pacientëve. Diabeti është një sëmundje mjaft e përhapur në gjithë botën dhe numri i pacientëve është duke shkuar në rritje dhe kjo shkaktohet nga shtimi i numrit të popullatës, shtimit të faktorëve të rrezikut, të ushqyerit jo të mirë dhe faktorëve të tjerë.”
Dr. Sadiku, theksoi se këtë vit për nder të kësaj dite në Kosovë, do të organizohet një simpozium vendor për komunitetin e endokrinologëve/diabetologëve, ku do të diskutohet mbi diabetin nga ligjërues vendor dhe ndërkombëtar. Doktoresha, po ashtu apeloi që personat diabetik të jenë aktiv, të ushqehen shëndetshëm dhe të bëjnë vizita të rregullta tek mjekët dhe të marrin terapi të rregullt.