Si fëmijë të vegjël, disa prej nesh kanë ëndërruar të bëhen mjekë, disa sportistë, por ka edhe nga ata që kanë pasur një pasion për punën e policisë dhe i kanë premtuar vetes se kur të rriten do të mbrojnë popullin dhe njerëzit në nevojë.
Më 13 shtator, kjo ëndërr u realizua për 416 kadetë të rinj të Policisë së Kosovës, të cilët u betuan të qëndrojnë pranë dhe të mbrojnë popullin e Kosovës.
Ceremonia e 54-të e Diplomimit të Gjeneratës së Policisë së Kosovës u zhvillua në prani të drejtuesve të Policisë së Kosovës, përfaqësuesve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe familjarëve të kadetëve.
Tashmë një police e diplomuar, Fjolla Morina ishte shumë e emocionuar që do të jetë pjesë e këtij institucioni:
“Jam shumë e emocionuar, e lumtur dhe shumë krenare në të njëjtën kohë. Ndihem shumë e privilegjuar që jam pjesë e 31% të grave në Policinë e Kosovës. Ka qenë një sfidë për ne që të qëndrojmë larg familjes sonë për tetë muaj, por tani me shumë krenari, përkushtim dhe vullnet, ne do t’i bashkohemi Policisë së Kosovës dhe gjithashtu këtë javë do të fillojmë punën në stacionet që na janë caktuar. “
Të jesh anëtar i Policisë së Kosovës është një ëndërr e shumë të rinjve që jetojnë në Kosovë. Kristina Neskoviç është një nga vajzat e reja që do ta përjetojë tashmë këtë ëndërr:
“Që nga sot, unë jam zyrtarisht një police e re. Kam takuar një shoqëri të re, një përvojë të re, instruktorë të rinj, trajnime, pra gjithçka është e re për mua. Derisa të marrim konfirmimin e vendit se ku do të punojmë, unë do të jem në Prishtinë, Stacioni Policor në Jug ”.
Të gjithë anëtarët e Policisë së Kosovës janë të përkushtuar në shërbimin e tyre, duke u mbështetur në vizion, mision dhe vlera të këtij shërbimi.