Në vazhdën e aktiviteteve humanitare që njerëzit e vullnetit të mirë apo organizatat me mision bamirësie po organizojnë kohë pas kohe, tashmë është duke u realizuar aktiviteti i radhës me simbolikë të tillë. Të gjithë ju që posedoni këpucë që më nuk i përdorni, por që për fëmijë të tjerë me kushte të rënda ekonomike mund të jenë të përdorshme, mund t’i dorëzoni ato në dyqanin “Steps-këpucë ortopedike”.
Më shumë rreth kësaj nisme me karakter humanitar, na tregon Arbnor Berisha, Partner në dyqanin e specializuar të këpucëve për fëmijë “steps”: “Presim që sa më shumë njerëz ti përgjigjen kësaj nisme, në mënyrë që të mbledhim sa më shumë këpucë për fëmijët në nevojë. Të gjitha këpucët që njerëzit do ti sjellin në dyqanin tonë, ne do t’i dërgojmë në shoqatën “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, të cilët pastaj do t’ua shpërndajnë fëmijëve për Festën e Ditës së Fëmijëve, ‘1 Qershori’ dhe Festën e Fitër Bajramit”, tha për Radio KFOR-in, z.Berisha.
Këpucët të cilat i dhuroni, duhet të mos jenë të shqyera apo të pa përdorshme.