Leximi, shkrimi, botimi dhe mësimi i poezive anembanë botës, sot kanë vëmendje më shumë se kurrë, për të shënuar ‘Ditën Botërore të Poezisë’, e cila u krijua nga UNESCO, në vitin 1999.
Pikërisht shënimin e kësaj dite, Radio KFOR-i kontaktoi autorin e katër librave ‘Anemia e kujtimeve’, ‘Mendoj për ty’, ‘Portat e heshtjes’, ‘Dashuri në shtegtim’ dhe një libër më karakter antologjik, historik, enciklopedik “Autorët e Komunës së Vitisë”, poetin e mirënjohur, z. Muzafer Ramiqi, i cili theksoi: “Të flitet për poezinë është si të flasësh për oqeanin, është si të flasësh për ëndrrat, një fushë e gjerë e gjatë ku secili gjen prehje. Mua si poet, më frymëzojnë jetët e njerëzve, historitë e tyre, fatet e njerëzve dhe fati i njerëzimit. Nga po shkon kjo botë, ka po shkojmë ne si shoqëri dhe mundohem që t’i thërras vetëdijes së njerëzve për t’u vetëdijesuar për fatin e botës. Për fund, mund të them se nëse romani do të ishte një kopsht i madh me të gjitha lulet e botës, poezia është ai parfumi që e ke nxjerrë nga të gjitha ato lule të atij kopshti të madh. Pra, poezia është parfum i jetës…”
‘Dita Botërore e Poezisë’, synon të vlerësojë ndjenjën që poezia mund të krijojë, për t’i dhënë njohje dhe shtysë të re lëvizjes kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare të poezisë.