Gjatë një viti, mësuesja e Yogës në Prishtinë Floriana Bajrami, ka organizuar klasa me vetiniciativë për të mbledhur fonde për fëmijët e prekur me kancer në Kosovë. Çdo të mërkurë nga ora 12:00, qytetarët mund të praktikojnë yoga në objektin e kompanisë ‘Capital Gate’,në Fushë Kosovë, duke kontribouar me shuma simbolike për të ndihmuar në këtë aktivitet bamirësie.
Në një intervistë për Radio KFOR-in mësuesja e yogës, Floriana Bajrami tregoi për këtë aktivitet fizik me karakter bamirës:
“Çdo të mërkurë mbaj yoga për bamirësi. Kryesisht njerëzit të cilët vijnë në klasat e mia vijnë të relaksohen në kohën e pauzës së drekës dhe kalojnë një orë ku ja kushtojnë shëndetit të tyre. Për momentin po mbledhim fonde për fëmijët e prekur me kancer në Kosovë nëpërmes fondacionit ‘Care for Kosovo Kids’, të cilët sigurojnë barnat për të gjithë fëmijët e prekur me këtë sëmundje në ‘Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”.
Floriana për fund ftoi të gjithë njerëzit që të japin edhe donacione të drejtpërdrejta në fondacionin ‘Care for Kosovo Kids’, të cilët ndihmojnë më të vegjlit e shoqërisë ta kalojnë këtë sëmundje të rëndë.