Qyteti i Vushtrrisë do të jetë nikoqir i festivalit ‘Takimet e poeteshave shqiptare’, një ngjarje që organizohet për herën e 37-të në këtë qytet, duke mbledhur krijueset letrare nga vende të ndryshme.
‘Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport’, në këtë komunë ka hapur konkurrimin për të zgjedhur poezinë më të bukur të këtij viti. Për të ditur më shumë rreth festivalit, Radio KFOR-i kontaktoi drejtoreshën e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, në Komunën e Vushtrrisë, Fatmire Cecelia, e cila tha:
“Besojmë shumë se me organizimin e Festivalit “Takimet e poeteshave shqiptare”, i cili do të mbahet për herë të 37-të, në Vushtrri, po arrijmë t’i shmangim barrierat që na ndajnë dhe kështu përmes fjalës së bukur shqipe të bëhemi bashkë. Padyshim, juria do ta ketë punën e vështirë, sepse të zgjedhësh vargjet më të mira, nga pena e poeteshave më të mira shqiptare, nuk është aspak e lehtë. Megjithatë, poeteshave shqiptare u urojmë suksese, gjithnjë duke shpresuar në një konkurrencë të madhe.”
Qëllimi i festivalit “Takimet e poeteshave shqiptare” është që të ruajë, kultivojë dhe zhvillojë kulturën tek gratë shqiptare, po ashtu për të nxitur krijimin dhe promovimin e krijimeve letrare.
Disa nga rregullat për të qenë pjesë e festivalit përfshijnë moshën mbi 18 vjet, poezitë duhet të jenë të pa botuara më parë dhe pjesëmarrëset mund të marrin pjesë me një poezi.
Për informata më të detajuara mund të shkruani në e-mail adresën: festivali.poeteshav@gmail.com apo të shikoni në faqen zyrtare të Komunës së Vushtrrisë, në Facebook.