Edhe pse vera lidhet me detin dhe plazhin, jo të gjithë dëshirojmë t’i kalojmë pushimet në bregdet. Edhe pse për shumë nga ne, deti është opsioni i parë, a e keni menduar ndonjëherë që pushimet verore t’i kaloni në vise mmalore?! Kosova është shumë e pasur me bukuri natyrore, disa prej të cilave po i sjellim sot, si mundësi për ju që doni të zgjidhni relievin malor për pushime:
Një ndër destinacionet më të veçanta është Rugova, vetëm pak kilometra nga Peja, kjo pjesë e Kosovës është e pasur me pyjet e dendura, ujëvarat natyrore dhe shtigjet alpine për ecje. Rugova është kthyer në një pikë atraktive për turistë vendas e të huaj. Aventurierët mund të shijojnë edhe sporte malore, si ngjitje shkëmbore, zip-line apo bjeshkë.
Jo më pak të bukura janë edhe Brezovica dhe Prevalla, në zemër të maleve të Sharrit, që ofrojnë freski edhe në ditët më të nxehta. Këto zona janë të përkryera për ecje, piknikë, çlodhje familjare dhe akomodim në bujtina tradicionale me ushqim bio.
Në jugun e Kosovës, fshati Brod në komunën e Dragashit, është një tjetër perlë alpine, që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje. Me arkitekturën e veçantë të shtëpive prej guri dhe peizazhet e gjelbra, Brodi është një vend ideal për ata që kërkojnë qetësi dhe natyrë të pastër.
Për adhuruesit e ujit dhe freskisë buzë liqeneve, Liqeni i Batllavës dhe Liqeni i Badovcit mbeten ndër më të preferuarit për banorët e Prishtinës dhe rrethinës. Të rrethuara nga pyje dhe me infrastrukturë të përshtatshme për aktivitete ditore, këto liqene ofrojnë mundësi për not, pedalina, piknikë dhe relaksim buzë ujit.
Gjithashtu, Gryka e Deçanit, Shishtaveci në komunën e Dragashit dhe Bjeshkët e Nemuna, janë zona që mbeten të pazbuluara nga masat, por që ofrojnë bukuri të rralla natyrore dhe përvoja të paharrueshme për ata që guxojnë të dalin jashtë itinerarit klasik.







