Përveç rrezeve të diellit, gjatë stinës së verës na ndriçojnë edhe dritat e festivaleve, energjia e pozitive që na vjen nga skenat e mëdha në ambientet e hapura, të cilat na bëjnë ta përjetojmë muzikën në nivel tjetër. Viti 2023, do të sjellë shumë festivale të bukura, e përgjatë muajve në vazhdim argëtimi nuk do të ketë fund:
– Muzika elektronike po bëhet çdo ditë e më shumë zhanër i preferuar për rininë e vendit. Rave Festival do të jetë stacioni i radhës për fansat e kësaj muzike. Përgjatë datave 7 dhe 8 korrik, Rave Festival do të sjell në AMC HALL emra ndërkombëtar, si: Fumiya Tanaka, Satoshi Tomiie, George Adi, Kiti Arsa dhe shume të tjerë.
– I njohur edhe si festivali i parë i birrës, BeerFest edhe këtë vit do të sjell argëtim dhe prezantime të brendeve të ndryshme, me një skenë që do të mbledhë artistë të zhanreve të ndryshëm, kryesisht nga skena muzikore vendore, përgjatë datave 7, 8, 9 dhe 10 korrik, 2023 në parkingun prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
– Festivali i animacionit Anibar, siç tregon edhe nga emri, pritet të sjell edhe sivjet gjëra unike në vendin tonë. Edicioni i 14-të, vjen me shumë befasi të bukura, që vijnë në qytetin e bukur të Pejës përgjatë datave 17-23 korrik.
– Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”, i njohur edhe si festivali më i madh i filmit në Kosovë, çdo vit mbush kinematë me një përzgjedhje prej qindra filmash, nga e gjithë bota. Edicioni i 22-të, këtë vit pritet të vjen përgjatë datave 4 – 12 gusht.
– Për fat të keq festivali që edicionin e kaluar solli në skenë emra, si Dua Lipa, J Balvin, Diplo, Skepta, Burak Yeter, etj., këtë vit nuk do të mbahet. Bëhet fjalë për Sunny Hill Festival, i cili nuk do të organizohet sivjet (2023), mirëpo pritet që edicioni i vitit të ardhshëm të jetë me risi të mëdha duke përfshirë edhe lokacionin.