E shënuar më 19 qershor të çdo viti ‘Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Qelizat Drapër’, synon të shtojë njohuritë rreth sëmundjes anemike të qelizave drapër dhe sfidave me të cilat përballen pacientët me këtë sëmundje, por edhe familjet dhe kujdestarët e tyre.
Sëmundja e qelizave drapërore (SCD) është një çrregullim i trashëguar i gjakut, që i kthen qelizat e kuqe të gjakut në formë “drapëri” dhe ato ngjiten së bashku, duke bllokuar rrjedhën e gjakut dhe oksigjenin që të arrijnë në të gjitha pjesët e trupit. Kjo sëmundje sipas ekspertëve shëndetësorë, është një gjendje gjenetike që prek miliona njerëz në mbarë botën dhe është më e zakonshme në zonat afrikane, mesdhetare dhe të gadishullit Arabik.
Me kalimin e kohës, njerëzit me këtë sëmundje mund të pësojnë dëmtime të rënda në organe të brendshme, si: mëlçi, veshkë, mushkëri, zemër dhe shpretkë, të cilat mund të çojnë edhe në vdekje. Trajtimi i drapërocitës, fokusohet kryesisht në parandalimin dhe trajtimin e komplikimeve. E vetmja kurë e mundshme për këtë çrregullim sipas ekspertëve shëndetësorë, është transplantimi i palcës së eshtrave. Megjithatë, edhe ky trajtim është i mundur vetëm për një numër të kufizuar individësh të prekur, që kanë një donator të përshtatshëm.