‘Dita Botërore e Veganëve’, për herë të parë filloi të shënohej në Angli, që nga viti 1994, nga aktivistja vegane për të drejtat e kafshëve, znj. Louise Wallis. Si përfaqësuese e komunitetit vegan, Znj. Wallis, kishte për qëllim që njerëzit të ndjekin një dietë vegane, për shkak të përfitimeve shëndetësore por edhe për të mbrojtur të drejtat e kafshëve.
Një dietë vegane bazohet në bimë (të tilla si perime, drithëra, arra dhe fruta) dhe ushqime nga bimët. Veganët nuk hanë ushqime që vijnë nga kafshët, duke përfshirë produktet e qumështit, vezët dhe në përgjithësi bylmetin.
Në të gjithë globin ‘Dita Botërore e Veganëve’, shënohet çdo vit me 1 nëntor, me organizime të ndryshme si seminare, debate publike dhe fushata, për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve që të ndryshojnë mënyrën e ushqyerjes së tyre. Një dietë vegane mund të jetë një nga mënyrat më të shëndetshme për të jetuar. Dietat me bazë bimore, si fruta dhe perime të freskëta, janë të pasura me vitamina B1, C, E, acid folik, magnez dhe hekur si dhe kanë më pak kolesterol dhe yndyrë.