Pjesëtarët paqeruajtës të KFOR-it, përveç ruajtjes së paqes dhe sigurisë, ata përmes donacioneve të ndryshme po vazhdojnë të mbështesin popullatën vendase. Të hënën (31.11.22), CIMIC-u (Bashkëpunimi Civil-Ushtarak) i KFOR-it, dhuroi një donacion, pajisje të ndryshme në përkrahje të zjarrfikësve në Junik, si: çanta (pompa) shpinore për fikjen e zjarreve fushore dhe malore, xhaketa, pantallona shiu dhe çizme të gjata deri nën krah.
Në emër të KFOR-it, donacionin në fjalë e dhuroi Komandanti i Rajonit Perëndim, OF-5 Ivano Marotta, i cili ndër të tjera tha: “KFOR-i si gjithmonë po punon për të mbështetur institucionet në Kosovë, në menaxhimin e sigurisë në regjionin e Kosovës. Për këtë arsye, është kënaqësi për mua të dhurojmë pajisje teknike si donacion për Stacionin e Zjarrfikësve. Shpresojmë se ky donacion do t’ju japë mjete shtesë për të vazhduar tutje punën dhe për të rritur sigurinë në këtë komunë. Ky aktivitet është një linjë perfekte me një nga parimet kryesore të KFOR-it, që vetëm së bashku duke bashkuar përpjekjet tona dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin, ne do të vazhdojmë tutje, të ndërtojmë një Kosovë të re dhe moderne.”
Gjatë ceremonisë së dhurimit të donacionit, i pranishëm ishte edhe Kryetari i Komunës së Junikut, z. Ruzhdi Shehu, i cili falënderoi përzemërsisht KFOR-in për përkrahjen e vazhdueshme.
Njësia e Zjarrfikësve në Junik është krijuar në vitin 2009 dhe që nga ajo kohë, vazhdimisht ndihmohet nga KFOR-i Italian. Komandanti i Zjarrfikësve të Komunës së Junikut, z. Shkëlzen Shehu, tregoi për Radio KFOR-in se është shumë i lumtur për donacionin e fundit, pasi që do t’iu lehtësohet puna në terren, meqë janë pajisje të lehta dhe shumë profesionale për të vepruar: “Juniku ka shumë male, 3.500 hektarë pyje, prandaj kemi pasur nevojë për çanta shpine. Pastaj, e ka lumin Erenik-un, që parashihen vërshime, ka reshje atmosferike, zjarre e kështu me radhë. Unë e falënderoj shumë KFOR-in Italian, të cilët gjithmonë po i dalin në ndihmë komunitetit në komunën e Junikut.”
Donacioni i sotëm i dhuruar nga KFOR-i, do të ndikoj në sigurinë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Komunën e Junikut.