Se Kosova ka resurse të shumta natyrore, bukuri magjepsëse që të mrekullojnë, më së miri e tregojnë personat që i vizitojnë nga afër peizazhet e veçanta të saj, e sidomos artistët, që këto pamje i shkrepin përmes aparatit fotografik.
Këto pamje dhe të tjera që paraqesin jetën e përditshme të misionit të KFOR-it, në Kosovë, përmes stërvitjeve ushtarake dhe takimeve me njerëz, u prezantuan me datën 01 tetor, përmes ekspozitës “Kosovo through the lens of KFOR”, në Prishtinë.
Me këtë rast, i pranishëm ishte edhe komandanti i KFOR-it, MG Ferenc KAJÁRI, i cili vlerësoi punën e të gjithëve që punojnë për paqe dhe siguri dhe ndër të tjera pohoi: “Me datën 10 tetor, 2022, përfundon periudha njëvjeçare e komandës së parë hungareze të KFOR-it. Për çdo komandant të KFOR-it, prioritet është të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes, detyrë e cila ka qenë precedenti im. Gjatë kryerjes së detyrave tona, shumë situata u bënë të paharrueshme për të gjithë ne. Fotografitë që shihni këtu janë dëshmi se si fotografët tanë profesionistë dhe amatorë, e shohin Kosovën, peizazhin e veçantë, natyror apo atë të ndërtuar nga njeriu, jetën e ushtarëve dhe civilëve që shërbejnë në KFOR dhe momentet e bashkëpunimit tonë me ju.”
Për rëndësinë e kësaj ekspozite, të pranishmëve ju drejtua edhe kryetari i Prishtinës, z. Përparim Rama, i cili nënvizoi: “Kryeqyteti ynë është një qytet i kontrasteve, përvojave dhe mundësive. Ai shkëlqen si një shembull i një demokracie të lulëzuar në Ballkan. Populli i Prishtinës, është mirënjohës për ndihmën e KFOR-it, në mbështetjen e zhvillimit të një Kosove demokratike dhe paqësore si dhe për kontributin e tyre për një mjedis më të sigurt për të gjithë.”
Kjo ekspozitë është krijuar në bashkëpunim me qendrën e fotografisë bashkëkohore Robert Capa, në Budapest të Hungarisë, e mbështetur nga fotografët më të talentuar të KFOR-it, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe të gjithë ushtarët dhe punonjësit civilë të KFOR-it dhe do të jetë e hapur për të gjithë, deri me datën 13 tetor, 2022.