‘Dita Botërore e Tuberkulozit’, shënohet çdo vit më 24 mars dhe ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit global për këtë sëmundje si dhe eliminimin e saj. Dita e sotme, përkujton gjithashtu datën historike të vitit 1882, kur Dr. Robert Koch shpalli zbulimin e bacilit të tuberkulozit, një hap të rëndësishëm në kuptimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje.
Tuberkulozi është një infeksion bakterial që zakonisht prek mushkëritë, por mund të ndikojë edhe në organe të tjera të trupit. Përhapja e tij ndodh përmes ajrit, kur një person i infektuar teshtin ose kollitet. Tuberkulozi është një nga arsyet kryesore të vdekshmërisë nga sëmundjet infektive në nivel botëror, edhe pse ka mundësi të plota për trajtim dhe parandalim kur zbulohet herët.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo vit raportohen miliona raste të reja të tuberkulozit, ndërsa shumë prej tyre mbeten të pazbuluara.
Tema e sivjetme e shënimit të kësaj dite, është “Investoni në eliminimin e tuberkulozit“, që thekson nevojën për të investuar më shumë në trajtimin dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje për të arritur qëllimin e eliminimit të saj deri në vitin 2035.
Vetëm përmes zbulimit të hershëm, trajtimit të efektshëm dhe investimeve në kërkime dhe parandalim mund të bëjmë një hap të madh drejt eliminimit të tuberkulozit nga bota.