Varfëria është një gjendje në të cilën një personi ose komuniteti i mungojnë burimet financiare dhe gjërat thelbësore për një standard minimal jetese. Njerëzit dhe familjet e goditura nga varfëria kryesisht qëndrojnë pa strehim të duhur, ujë të pastër, ushqim të shëndetshëm dhe kujdes mjekësor.
Edhe Kosova, sikurse çdo vit tjetër me datën 17 tetor, i bashkohet botës në përurimin e ‘Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Varfërisë’. Kjo ngjarje vjetore mëton të reflektoj mbi sfidat që përballen vendet dhe për të ndërmarrë veprime konkrete në luftën kundër varfërisë.
Varfëria mbetet një problem i madh në botë, ndërkohë që shumë familje jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe sociale. Për të bërë ndryshim, është e rëndësishme të bashkohemi si komunitet dhe të përmirësojmë qasjen ndaj arsimit, shëndetësisë dhe mundësive të punësimit. Në të njëjtën kohë, duhet të mbështesim politikat qeveritare që janë të orientuara drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të kushteve të jetesës së të varfërve.
Organizata e Bankës Botërore e përshkruan varfërinë në këtë mënyrë: “Varfëria është uri. Varfëria është mungesa e strehimit. Varfëria është të jesh i sëmurë dhe të mos kesh mundësi të shkosh te mjeku. Varfëri është të mos kesh qasje në shkollë dhe të mos dish të lexosh. Varfëria është të mos kesh punë, është frika për të ardhmen, të jetosh një ditë në një kohë. Varfëria është një thirrje për veprim, për të varfrit dhe të pasurit njësoj, një thirrje për të ndryshuar botën në mënyrë që shumë të tjerë të kenë mjaftueshëm për të ngrënë, strehim të përshtatshëm, qasje në arsim dhe shëndet, mbrojtje nga dhuna dhe një zë për atë që ndodh në komunitetet e tyre.”
‘Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Varfërisë’ është një kujtim i nevojshëm për të gjithë se bashkëpunimi dhe solidariteti, janë thelbësore në rrugën drejt një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.